Lirika e majit

Thonë maji qenka çapkën vetë,
thonë se në maj as pleqtë s’kërrusen,
ndaj i fsheh bilbilat nëpër fletë,
të përgjojnë çiftet kur të puthen…

Thonë maji qenka çapkën vetë,
mik i kaltër, shpend i hapësirës,
ndaj i niska vajzat larg me djemtë,
e nën shelgje i zhveshka pas dëshirës.

Thonë maji qenka çapkën vetë,
në parfum i derdh ëndrrat e tija,
ndaj çdo zemër nuk e le të qetë,
ndaj çdo shpirt e shkund nga plogështia.

Koçi Petriti

Lirika (2010)

————

VARIANT:
Lirika e majit (Lirikat e majit; 1962)

Advertisements