Kush po shkon ashtu

(Trimi dhe Vasha)

Kush po shkon ashtu me bujë?
Kush po vjen ashtu për ujë?

Po shkon trimi si dragua,
Po vjen vasha për në krua.

Në mëngjes në mugëtirë
Ngrihet vasha që pa gdhirë.

Ngrihet trimi-i dëshëruar
Në mëngjes pa svagëlluar.

Pse mëngon ti trim i ngratë?
Ç’del ti vashë që-me-natë?
Trimin më s’e mban durimi…
Vashën më s’e mban mejtimi…

Papo fryn mëngjez’ i parë:
Vashë-e trim më s’janë parë;
Fryn mesditëza me vapë:
Vashë-e trim s’këthehen prapë;
Pa fryn er’ e perëndimit:
Vasha fle në gji të trimit.

Lasgush Poradeci

Vdekja e nositit (1978)