Giûha shqype

(Gustav Meyerit.)

Permbî zâ qi lëshon bylbyli
Gjiûha shqype m’ shungullon ;
Permbi érë qi nep zymyli
Pá dá zêmren m’ a ngushllon.

Nder kómbë tjerë, nder dhéna tjera
Kû e shkoj jeten tesh sá mot,
Veç per tý m’ rreh zêmra e mjera,
E prei mállit derdhi lot.

Njikto giuhë qi jam tui ndie
Janë të bukra me temel ;
Por prep këjo, si diell pá hije,
Per mue t’ tanave ju del.

Edhè zogu kerkon lisin
Mbî shpí t’ artë ku rri me mbret ;
E shtegtari dishron fisin
Permbî vênd qi s âsht i vet.

O Shqypní e mjerë Shqypnija,
Plot me burra e trima plot
Ti’j dit’ ishe ; por lumnija
Qi ké pasun nuk â sot.

Nen njat tokë qi ta shklet kâmba
Zân e t’ moçmeve veshtò :
Per bij t’ tashem, porsi e ama
E t’ koritunve, gjimò.

Nâm e zâ, qi kishe, t’ treti,
E veç turpi e mârrja t’ mbëloj ;
Per lumní veç kóre t’ mbeti
Qysh se fara e mirë mbaroj.

Por gazmò nder gjith kto t’ vshtira
Persè endè s sharrove kret ;
Diçka t’ mbet nder atò t’ mira
Mbas dý mij e mâ shum vjet.

T’ ká mbet giuha qi po ndihet
N’ fush e n’ mal qi ti zotnon ;
Gjith kû hija ê jote shtrihet
Kû shqyptari zân e lëshon.

Prei Tivarit e n’ Preveze
Nji â giûha e kómbi nji ;
Kû lëshon dielli njato rreze
Qi veç toka e jote i di.

Kû n’ breg t’ Cemit rritet trimi
Me zbardhë, Shqype, zânin tând,
E kû i Drinit â burimi
Qi shperdahet kând e kând.

Geg’ e toskë, Malcí, jallija
Janë nji kômb, m’ u dá s duron :
Fund e maje nji â Shqypnija,
E nji giûhë t’ gjith na bashkon.

Kjoftë mallkue kush qet ngatrrime
Nder kto vllazen shoq me shoq :
Kush e dán me fjal’ e shkrime
Ça natyra vetë perpoq.

Por me giûhë kaq t’ moçme e mjera
Si i bij’ kjé qi pá prind mbet ;
Per t’ huej t’mbâjshin dhénat tjera,
S t’ kishte kush per motrë t’ vet.

Kúr nji burrë u çue n’ Austrí
E me sŷ gjithkund t’ kerkoj :
Gustav Meyer-i âsht êmni i tij,
Êmni i burrit qi t’ madhnoj.

Porsi dielli tui flakue
Shperdán terrin qi na mbëloj,
Njashtû Meyer-i tui kerkue
Kah ké dalë po ta difton.

T’ difton motrat, t’ difton fisin,
Neper shekuj fluturim
T’ çon njatjè ku luftnat krisin,
Kû â kap’ Roma e Iliri shqim.

Njikto t’ thotë (e ti se dishe)
Janë t’ bijt t’ tú qi pate mot :
Këta janë burrat qi’j ditë kishe,
Êmnit tând me i dalun zot.

Nen gjytet qi mâ vonë çili
Kómbi i yt luftár mâ pak,
Kû ish mbret at-botë Bardili,
Shum anmiku dérdhi gjak.

E njat tokë qi jé tui gëzue
E ké xanë tesh sá mij’vjet ;
Shqyptarija qi mbet mbëlue
Sot nen dhé, edhè shqyp flet.

Flet me rrasa, flet me sênde
Kû lumnín e vet e shkroj ;
Por kerkush s i di këto vênde
E harrimi t’ tana i mbëloj.

Por gjithnji nen kâmbë po ndihen
Burrat t’ tú qi toka i mbëlon,
E nen dhé kocîjt perzihen
Si’j grunisht’ kúr éra lëshon.

Don’ m’ u çue e t’ gjith per s’ mbarit
Me u prí nipave mb’ nji cak :
Don’ me t’ bâ si ké kenë s’ parit,
T’ ndérës me kapë t’ lumnueshmin prak.

D. Ndré Mjedja

Juvenilia (1928)