Shtegtari

Neper male e neper fusha
Pá pushue, pá xanun vênd,
Perpín rrugen si harrusha
Nji shtegtár me gjith gazmênd.

As katundi mâ i pelqyeshem,
As gjyteti nuk e pret ;
Porsi’j zog merr rrugen rrmyeshem
Shpejt e shpejt per vênd të vet.

Dit’ e natë thekshem tui shkue
Neper dhena mbetun shkret,
Kurgjâ s’ mujti me e hutue
Tui bâ rrugë per vênd të vet.

N’ pikë të zhekut nen ndo’j hije
Ndêj prei së xétit qi e pelset ;
Por me t’ shpejt’ u vûe per fije
Tui bâ rrugë per vênd të vet.

Bâshin darsma neper shpija,
Lutshin festa per katund ;
S ju di darsmave hitija,
S e pret festa jo kerkund.

Fest’ i dukej nder mâ t’ mirat
Shpija e vogel qi dishron ;
Shênd i bâheshin të vshtirat,
Tui shpejtue per shpí qi don.

Mbas nji fushës e pertè malin
T’ mjer’ shtegtarin shpija e pret ;
Tui e pritë te dera dalin
Per gjith mbrámje robt e vet.

E shikjojn’ gjith kahë mêrr syni
A po duket baba kund ;
Dér sá nata mbrênd’ i ndryni,
Kúr xhixhllojshin dritët n’ katund.

Ec, hitat, shtegtár i ngriti,
Se mbas fushes qi mbaron,
Shpija e jote gadi mbërrîti,
Shpija e jote qi flakron.

N’ buzë të mbrámjes per nji breshtë
Ky shtegtár pá dijt’ u gjet,
Kúr per s’ lerg nder lisa t’ shpeshte
Zâ i venitun n’ vesh i vret.

Vojt e syni kah del gjama
Pá mêndue per shpí të vet :
Nji grue shtrî ku u çilte lama
E dy fëmijë permbyzun gjet.

Zêmer-dhimshmi tui u afrue
Kqyrë kush ishin me kujdes :
Ju muer fryma, n’ fëtyr’ u ndrrue
E rá n’ tokë porsi kush des.

Shumë dit pritne : anì prei fisit
Me i dalë para u nisne truç ;
N’ rrugë mbet grueja brî nji lisit,
Edhè fëmija ráne lmuç.

Tui bâ rrugë ne e nesre shkote
Nji zotní per at t’ zí vênd :
Gruen e fëmíjt permbyz i mbëlote
Njai shtegtár pá gojë pá mênd.

D. Ndré Mjedja

Juvenilia (1928)