Lissus

[LËNDA: p. I; p. II; p. III; p. IV; p. V; p. VI; p. VII; p. VIII; p. IX; p. X; p. XI; p. XII]

————-

        I.

Neper kodra të stolisuna me vneshta
Kû vilet árit xhixhillojshin në dielli,
E, rrotull fushen tui kaditun, prílli
Edhè lulzote kúr kish hîmun vjeshta:

Nder ullishta gjelbnore qi kah Kreshta
E terthores të Merqîjës vîshin nji fílli,
Kû Velja e rrmyeshme, qi perket te qielli,
Ambel me hyjzit mban kuvênde të shpeshta:

Darsmore të Bahtit, t’Aferdites shkoshin,
Veshur me gunza, e krahët e bardhë të shpervjelun,
Vashat e Ilirvet me koshere në krye.

E ngrehshin valle dora dora, e këndoshin
Kreshnikët e Ilirvet e anmiqt e ngelun,
Gadhnjyes Bardhyllin e Perdikën thye.

        II.

E pergjegjshin të mahnituna nder mâje
E neper lugje të grumullueme në hije
Të blîjve të lulzuem, të lulishteve pá skâje,
Zânat e malit me nji kângë plot shije.

Me ‘j kângë qi fllade t’ambeltuem nder plâje
Bishin të gjytetse, o kû mâ nêlt në shkâmbije,
Sogjetarë te patundshem si murrâje,
Ruejshin Ilirsit për atdhé bâ flíje.

E lundratari, kúr per dét kalote
N’at dritë të mallnjyeshme qi shpërdáte nata,
Ngrîhej e rrêmin permbi bark’ e lëshote,

Ndalte e mahnitun at rrjedhë të prehtë si shpata
Vala e Drinit të madhnuem, e “ta gëzoj”, thote,
“Mâ së mbramit djalin qi ngiat deket pata”.

        III.

Të falemi, o Lesh, i lum per sá Madhnija
Shperdau rreth téje miradína e hire,
E perdorojë me cenë kujdesi e dija
Të sá mjeshtrave lulzuen në ket tok’ Ilire.

Me rruga të ndrejta hijeshue, me shpija
Të nêlta si sukat qi të shikjojnë me smirë;
Me ndertesa t’ushtrimeve kû fëmija
Vujshin, fatosat e nji kohës mâ të vshtirë.

E kqyrshe sqelen qi Sirakuzani
Ndertoj, e në dritë të venituna ti njifshe
Fytyren tande me stoli të nji mbreti.

E lundra të hueja mbushë me rob qi bâni
Fitues Ilirsi, e, porsì fjetun, shifshe
Ândrra fatosash, tui të perkundun deti.

        IV.

I lum per kështjelin qi mbí kodra ngrehej
I pàlodhshem vigâ perkûndra anmikut;
Kû hovi i të huejvet porsì qelqe thehej,
O si shkulmat e detit në frymë të denikut.

Kû shqypja ilire neper ajr dëfrehej
Në gjíri të madhnueshem, e mje në breg të Baltikut
Gadhnjime të réja tui hartuemun, shgrehej
Pratò vênde të panjoftuna jetikut.

E fushët e sukat e ndertesat të túja,
Porsì grigjen barija i zgjuem, veshtote
Tui të pruemun das’ e nderlikime të hueja.

Por oh! mâ fort se e kështjelit hija të zhgote,
E prei hovit e resave të ndokúja
Me parzem të hekurtë djelmenija të mprote.

        V.

Deh! Ç u perhap rreth maleve kushtrimi,
Qi nder lugje mâ të mbshehuna persritte,
Hova hova tu’ e shtue jehona, e thritte
Kombin e Ilirvet ne fushatë nderimi.

Grishte prei mâjesh kû fillon agimi,
Kû vala e Drinit neper lugje rrshitte,
Kû në bórë t’amshueshme bukuri pershndritte,
Tui u zhdukun nen dét qetas, prêndimi.

E i thirrshin nanat djelmnís kreshnike,
E, dalë tui i prapun, krushqeve ju thoshin:
“Djelmt e Ilit në kushtrim së bashkut shpejtoni.

Ecni me heshta, ecni e me armë jetike,
Hov’nju kualve me at mëní qi të paret ju mësoshin:
Per lulzimin e atdheut ju thrret Agroni!”

        VI.

E u lëshuen si’ j nieri të tanë. Si shprazen shénat
Rrmyeshem prei mâjesh neper gryka, e zbrisin
Bumbulluesa teposhtë, e tui mbëlue dhénat,
Kësolla e ndertesa shpartallojn’ e krisin;

O si lëshohen lângojt kâmbëshpéjtë nder brénat
E nêlt sá qiella të bregut të Tunës, e vrrisin
Per mbas drenave të frigueshem kúr, krénat
Ngatrrue nder drriza, tui dihatun jisin:

Ashtû kombet e Ilirve turra turra
Ulen prei malesh fluturim pá u rrekë,
E presin rregjin grumullue nder curra.

E kúr fatosi në patershanë tui prekë,
“Ç’detyrë”, tha, “kemi per atdhén, o burra?”
Nji t’Ilirvet kje të gjegjunit: “Me dekë”!

        VII.

Jo kurr aq rrmyeshem neper fusha s rrodhi
Prej bórës së maleve e frŷeme e prei stuhijet,
Rrotull tui ngrehun varg gjithfarë baktijet,
E gjind e tréna qi nder shpija mbëlodhi,

Rrjedha shkumbues’ e Drinit, porsì u hodhi,
Patershanen nen dor’ e zjerm prei mënijet,
Ushtrija e jonë mbas lepravet Greqijet
Tui rroposun gjithshka perpara i ndodhi.

E flakë shkrumuesa neper shpija shkoshin,
E nper dritë të tyne xhixhillim si shkëndija,
Patershana të pergjakuna vetoshin.

E váj e ankime për gjith anë granija,
Kúr ahte burrash e ulurime ushtoshin,
Nen thundrë të kualve tui i shtypë Shqypnija.

        VIII.

Ktheni nder shpija, o djelm, sokola ktheni,
Me at dritë të shkelqyeshme qi ju suell trimnija;
Krahas me jú vjen nâmi e vjen lumnija
Qi perhapun gjith shekullit ja keni.

Me barkë t’ushtrueme per mbas prénash, eni
Me rrgjant ngarkuemun e mermerë e mija
Armësh e permêndesh, qi ndertoj Greqija,
E keqas gëzueti deri sot Helleni.

Me brohorí ju pret per faqe të zbardhme
Nder sqele Iliri e flamorët qi ndoqne
Zêmrat të tërhuzta neper lamë nderimi.

E, timiam’ e shêjte, i flijvet timi
Perciell fatosat qi prei jetës u shkoqne
Tui i dhanë shpírtin atdheut e kohës përtardhme.

        IX.

Këtû, Amàzone ilire e bind natyret,
Fis i Hyjvet të Dodonës, Teuta mbretnote,
Kúr Pinës ferishte, per hití detyret,
Jeten mbretnore e regjinín i shtote.

E të nji mêndes kreshnike të gjitha zyret
Adrijatikut me kujdes ja trote,
E pá lêje t’Ilirse o ‘j shêj pagtyret,
Détin shqyptár i hueji s e kalote.

E kúr, nderkrye per ushtrija e mndore
E mbretnína të grabituna me dhune,
Ju turr Roma me e trêmbë me fjalë madhshtore,

Rrebtas i gjegji: “Jo mos prit shka lype!”
E at-herna së parit kaperthyeshem xune
Luftime e gjaqe Shqypëtarët me shqype.

        X.

Por se fatmadhe, o Lesh, nji ditë do të mbërrite,
E mâ të lumin nder shokë bota do të thote,
Kúr në nji Kishë tande tempull të rij të pertrîte
Per lulzimin e atdheut Shqypja kob-plote.

Si tallaze të pershtŷmuna do të vîte
Prei fushësh e malesh Shqyptarija e, mote
Të reja tui lypun per atdhé, të pershîte
Giûjas Permêndsen qi mjet téjet vrote.

Atjè nanat shqyptare ‘j dite do të shkoshin
Me fëmijë per doret, e n’at zij qi paten,
Per atdhén e vorfnuem do t’u betoshin.

Se ti do të shifshe, o Lesh, kúr të delte shtegut
Të nji gjallnimit kreshnik, e t’ulte shpaten,
E ti vorrin do të mbájshe të Skanderbegut.

        XI.

Porsì ‘j luâ mbas luftnave, kreshniku
U pshtet, molisun per atdhén, e shgjeshi
Shpatèn e mnérshme qi pat frikë anmiku,
E nâm t’amshueshem Shqyptarís i reshi.

E prei sŷve n’at ças mbshehtas i piku
Nji lot ndër faqe, e, stolí qi s zhdeshi,
Mbi kryq të permbajtun nder të dý duert besniku
Shqypen e ballit të mbramen her’ e ndeshi.

Nuk e rrethuen fatosin n’atò të vshtira
Paranikët e Shqypnís as djelmt e fisit,
Qi lumní ju perftoj e dit mâ të lira.

Vetem, si hije qi nper an’ u ndrroshin,
Dalun prei fronesh të madhes fushë t’Elisit,
Fatosat e gjith kohnave lotoshin.

        XII.

E nêlt prei qiellet fluturim qe zbritne
Tuba tuba qiellorët, e nder duer kishin
Kryq e kunorë qi të dekunit i bishin,
E, si lterit të shuguruem, prûjshem ju avitne.

Pezull tu’ e bájtun në shêjtet duer e pritne,
E në hapsina të pámatuna, kah ishin,
Fluturuene me têne e, kû vetë rrishin,
Së bashkut tui kënduemun me nderim e njitne.

“Qe dishmuesin, o Zot”, këndoshin, “qi jeten
Per shêjten Fè, per Shqyptarín e shkríni
E pátundshme perherë shtyll’ e mburoje.

Aj diq, o Zot, per mbas detyres, por të shkreten
Atme ti rueja, qi dikúr pertrîni,
Ti në qiell nder mprojsa të Shqyptarís rreshtoje”.

D. Ndré Mjedja

Lissus (1928)

Advertisements