Ish një vajzë e ish një djalë,
vajza e donte e djali e donte,
po Shkumbini i madh me valë
i kish ndarë e s’i bashkonte.
Dhe thërrisnin: Oo, të duaa!
Po kjo klithmë e lashtë fjalësh
u dëgjohej: Joo, s’të duaa!
nëpër thashetheme valësh.
E humbisnin të dy shpresën
e shpresonin prap më tepër,
siç humbet dhe dita vesën
dhe e gjen mëngjesin tjetër.
Oo, të dua, – nisej fjala,
Jo s’të dua, – mbrrinte zallit.
Vajza thosh: Më piftë vala!
Të përpiftë! i bëhej djalit.
Bot me buzë, bot me duar
anës dallgëve ndërkryer
herë për jetë dashuruar,
herë për vdekje të zhgënjyer.
Hidhnin fjalën ta kalonin,
shprishej porsi plisi i kumit,
hidhnin gurin të qëllonin,
binte mu në mes të lumit.
Një çast lumi s’ish më lumë
mes dy maleve të mallit
dhe u bind e ra në gjumë
dhe u hap e fjeti zallit.
Rendi vajza e rendi djali,
sa u ngrit një erë e marrë,
që rrëzoi shkëmbinj nga mali
e një breshër që s’ish parë.
Zgjatën duart, vunë gurë,
shtruan dhëmbjet që nuk thuhen,
gjer mbi lumë u bënë urë
të kalojnë ata që duhen.
Ish një vajzë e ish një djalë…
Koçi Petriti
Poezi të zgjedhura (2006)
————
VARIANT:
Dashuria (Të dashurova ty; 1988)