Vetmia

Më pak mërzitja
që vetmia më sjell,
përbuzja, urrejtja
të gjith’ sendet m’i mbështjell
dhe kam shumë anmiqë
të ligë
në këto sende pa shpirt.
Nuk flasin.
As sy s’kanë.
Po mue më bahet
se aty janë
vetem që të më plasin
zemrën.
Së paku të më shajnë:
– I mallkuem!
Së paku të më tallin:
– I uruem!
Së paku të më këndojnë:
– I yni Zot!
Ose të më thonë:
– Jeton kot!
Të flasin, të flasin se fjalë due
në ket vetmi me ndigjue.
Ose të më tregojnë historinë
të tyne, autobiografinë;
ndosht’ aty do gjej gjasim
me jeten teme pa tingllim
që në vetmi po e kaloj –
dhe s’po di a rroj a s’rroj.
Sendet heshtin. – Sa të pamëshirë!
Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë,
pse gojë s’kanë
dhe nuk flasin,
aty janë
vetëm të më plasin
zemren teme që po vuen
dhe në mërzi vetveten truen.

Migjeni

Vargjet e lira (1944)

Advertisements
Ky zë u postua te Migjeni dhe u etiketua si . Faqeruani permalidhjen.