Shpirt shpendi

Shkëmbinjve të huaj përplasi stuhija
një zog që me të u përlesh.
Larg vëndit të dashur
mbi varrin e tija,
askush nuk e qau e s’e desh.

As lule,
as gjëmba s’i mbollën mbi vete,
askush s’e përfilli atje,
ndaj shpendi pa emër
vendosi mos tretej
nën varrin e zi pa atdhe…

Nga mall i zhuritur
prej kurmit plot plagë,
një gjëmb picërrak hodhi shtat.
Nën varr, shpirt’ i shpendit
drejt vendit të largët
në rrënjë dëshirash u zgjat.

Si doçkë fëmije
e shtrirë drejt mëmës,
një bisk i nëndheshëm arriu.
Në vendin e lindjes
mbiu lule prej rrënjës,
me mall e dëshira njeriu…

Koçi Petriti

Albumi i lirikave (2004)

————

VARIANT:
Ballada e zogut (Lirikat e majit; 1962)

Advertisements