Dallëndyshe

Së pari pak m’u lodhën sytë
së pari pak, së pari pak,
se s’pashë dot një mal të dytë,
        përballë mal, bunker përqark.

Ah, të jem djalë! thashë e qesha,
po qeshja ime pikoi gjak,
të kapërxej ylberin desha,
        përballë mal, bunker përqark.

E nga që dot pas teje s’renda,
moj dallëndyshe që shkon larg
qilimin fluturues enda.
        Përballë mal, bunker përqark.

Qilimin që u bë përrallë
e i vjen botës rreth e qark,
kush përveç meje e thurka vallë!
        Përballë mal, bunker përqark.

Ju shkelni shenjat e qilimit,
ç’enigma zogjsh, ç’ylber, ç’zambak!
Aty fle shpirti i fluturimit.
        Përballë mal, bunker përqark.

Koçi Petriti

Poezi të zgjedhura (2006)

————

VARIANT:
Dallëndyshe (Balada; 2010)

Advertisements