Ju kujtova të gjithave

Ju kujtova të gjithave juve që them se ju desha,
që nga m’e hershmja,
gjer tek e vona,
atë që ish e paputhura,
atë që ish virgjëresha,
atë që ish moll’ e sherrit e pelë e harbimeve tona.

Atë që flijoi për tre grosh dashurizën e parë,
atë që briroi fill pas muajit të mjaltit nën mua,
atë që ngurroi n’udhëkryq djall a ëngjëll të marrë,
atë që kuptoi që s’e desha, që sapo i thashë “të dua”.

Ja, po më ngjan sikur ngrihi nga heshtja e honeve,
të ndryshme, të shumta si ngjyrat, si zogjtë,
ju fluturuat mbi prushin epshor të pasioneve,
donit të ngroheshit, pendët e bukura dogjtë.

Vjen perëndisht edhe ti që të desha së pari,
pikëz e artë, flurorja, si rreze e përthyer mbi lotë,
të shtrij e të shkoj përmbi buzë sërish si dikur një fill bari,
ti nis këndon edhe qan: Dashuria bën xhiro në botë!

Prapë unë u desha pa ty,
ti prapë u puthe pa mua,
erdhën pas teje të tjera, shuan ç’rindizet e digjet,
erdhën, po s’hyri askush gjer në pronat e tua,
mes njëri-tjetrit shkon lumi që ndan e bashkon të dy brigjet.

Zbriti dhe suta e Veriut,
mbrriti dhe krrilla e Jugut,
unë i pranova të gjitha, të gjitha, të gjitha,
toka, grua beronjë, palluar prej plugut,
qan kur s’ngarkohet me pemë,
qesh kur mbulohet me drithra.

Ja, ku po vjen dhe m’e vona, mjellma e fundit,
mjellma e fundit brymuar nga vjeshta,
hirin hënor të flijimit kalimthi ma shkundi,
brymën e ikjes pa kthim më brymoi përmbi vjersha.

Unë kështu dimëroj gjer në flirtet e vona,
herë i rishuar, herë i rindezur, sa mund,
jam gati çdonjë ta ridua sikur t’ish vërtet Dezdemona,
pastaj ta harroj si një libër që s’mund ta lexosh gjer në fund…

Koçi Petriti

Poezi të zgjedhura (2006)