Kanga skandaloze

Një murgeshë e zbetë, që bashkë me mkatet e botës
barë dhe mkatet e mija mbi supat e vet të molisun,
mbi supat e verdhë si dylli që i ka puth’ hyjnia
– kaloi rrugës së qytetit si ejll i arratisun…

Një murgeshë e zbetë, e ftoftë si rrasa e vorrit,
me sy boj-hini si hini i epsheve të djeg’na të gjallesës,
me buzë të holla të kuqe, dy gajtana pshertimet që mbysin
– ma la der’ vonë kujtimin, kujtimin e ftohtë të kalesës.

Prej lutjesh (jo tallse!) duel dhe në lutje prap po shkon…
Lutjet i flejnë gjthkund: ndër sy, ndër buzë, ndër gishta.
Pa lutjet e saja bota, kushedi, ç’fat do kishte?
Por dhe nga lutjet e saja ende s’i zbardhi drita.

O murgeshë e zbetë që çon dashni me shejtent,
që n’ekstazë para tyne digjesh si qiriu pranë lterit
dhe ua zbulon veten… Cmirë ua kam shejtenvet:
Mos u lut për mue, se due pash më pash t’i bij ferrit.

Unë edhe, ti murgeshë, dy skaje po të një litari,
të cilin dy tabore ja ngrehin njeni-tjetrit –
lufta asht e ashpër dhe kushedi ku do të dali,
prandaj ngrehet litari edhe përplasen njerzit.

Migjeni

Vargjet e lira (1944)