Poezia

Tani kam njohur shumë njerëz
dhe kë kam kundërshtar e di,
e di si hesht njeriu-lavjerës,
kur hesht mik-zembereku i tij.

E di ç’kërkon prej meje koha,
e di dhe ajo ç’pres unë prej saj,
nëse me tjetër varg s’e ngroha,
jemi të dy fajtorë pa faj.

Mbi rrugën ku më mpihej këmba
me ecejak njëzet vjet rresht,
kam shkelur shpesh dhe përmbi gjëmba
po askush s’më bëri dot të hesht.

E nëse floku im ka zbardhje
e udha ngrënie shollësh ka,
nën të përditshmet vajtje-ardhje
shkela mbi intriga të mëdha.

M’u grisën shollët, i arnova,
e ç’gur desh më pengoi e di,
e prap mbi të unë shkela e shkrova
më njerëzoren poezi.

Koçi Petriti

Poezi të zgjedhura (2006)

————

VARIANT:
Poezia (Të dashurova ty; 1988)