Qeni gjeneral

Te një han, mbi një bregshesh,
pas një lumi, nën një mal,
ju s’e dini si u vesh
qeni i Quksit gjeneral.

Te ky shteg, ku mbiu ky han,
pat kaluar me tabor
kushedi ç’Fatih sulltan,
kushedi ç’dreq perandor.

Duke ikur për Bizant,
duke ardhur për Dyrrah,
s’erdhi mik asnjë prelat,
as një kral, asnjë pasha.

Ngaqë s’erdh askush si mik,
Vija Egnatia nxin përtej
si skelet prehistorik,
as varrosur, as mbi dhe.

Thonë se te ky han u ndal
stambollesha me duvak,
që e solli mal më mal
kokëxhindi xhyranak.

Është ai që bëri be
t’i gjejë arrë me pesë thelpinj
dhe i tregoi për minare
nëntëdhjetë e nëntë shkëmbinj.

Tej shkëmbinjve kreshtëkuq
dukej Qafa e Thanës mal,
ku i doli hilja huq
Natradinit proverbial.

Ja, ku erdhi te ky han
dhe një gjeneral-pasha,
i dërguar me ferman
dhe nishane të mëdha.

Thonë se ish e thonë se s’ish
nga ky vend e nga ky soj,
porse gjaku që iu shprish
gradë e famë e fron lakmoi.

Erdh me pompë e me tabor,
erdh u shtrua këmbëkryq
dhe desh sofër në oborr
e t’i bënte fshatit gjyq.

Dhe piu verë e na u deh
dhe nga dehja e zhegu i madh
ç’kish nishane e fermele
hop! i hodhi përmbi gardh.

Dhe hanxhiu nopran dinak
sesi gardhit rreth i ra,
sesi e kapi një qen plak,
sesi e veshi si pasha.

Sesi qenin shpata e shpoi,
sesi u sul nëpër oborr,
sesi u ngrit, qenin nderoi
gjithë ai mish-mash tabor.

Pasha s’dihet si u turr,
pasha s’dihet ku u ndal,
vetëm dihet që iu thur
kënga e qenit-gjeneral.

Koçi Petriti

Balada (2010)

————

VARIANT:
Qeni gjeneral (Prush nëpër shekuj; 1979)

Advertisements