Lidhje e paçkëputur

Ti moj Engjëll, moj Shejtane,
Moj Zambak e moj shafrane,
Ti më dehe të papirë
Me tufan e me farmirë;
Moj kurbatkë katarroshe,
Moj sarhoshe kokëboshe,
Më përpjek qoshe më qoshe;
Me zinxhir po më zvarnis,
Më shastis e më bezdis,
Më kërdis, më çakërdis;
Ti ma syrgjynose gjumin,
Ti më mbylle në budrumin,
Ti më nxive në zullumin:
Bashkë s’rrojmë dot,
Ndahemi pra sot.

Nuk ujdis dot ti me mua
Si për çift, për burr’ e grua.
Unë hesht, ti po bërtet,
Unë flë, ti po gërret;
Unë ha, ti ramazan,
Unë s’pi, ti zbras kazan;
Unë rent, ti po çalon,
Unë ngel, ti fluturon;

Unë prush e ti dëborë,
Unë drras’ e ti këmborë,
Unë hi e ti vullkane,
Unë mi e ti kapllane,
Un’ i ri, ti shkon me pleqtë,
Unë plak, ti lot me djemtë;
Çporru, prapa diellit
Ku s’ryn drit’ e qiellit.
S’piqemi gëkunt,
Dasma mori funt!

Në më do, më ngushëllo,
Po s’më do, mos më mundo;
Prema kokën dhe çliromë
Dhe në varr të zi mbulomë,
Se kur ngjitem, kam një hall,
Nukë shqitem, jam tutkall.
Ndihmë, pra, për Zot,
Puthm’ e vramë sot.

Tani qan, u mallëngjeve,
More vesh që u gënjeve;
Tani zemrën ma gëzove,
Se e shoh që u pendove;
Tani dukesh si qëmoti,
Kur më kape, siç tha Zoti;
Kokën time, brigje-brigje,
Ti moj flag’ e ëmbël, digje!
Tok pra mbetemi
Sa të tretemi.

Fan S. Noli

Vepra 1 (1987)

Advertisements