Je ulur fort

Kujtimi im që më s’më jep të qetë,
Kujtimi im q’u llaftaris pas teje,
Në qetësi ësht’ iskër prej rrufeje,
Në ças llaftare zjarr e flakë vetë.

Çkëlqen si prush kur skëterrohen retë,
Kur mall’ i dhembshur ze buçet ndaj meje.
Kuptimin t’ im o! ndjeje-ahere, ndjeje,
Se n’atë hof m’ a ndrin ah! zemr’ e shkretë.

Kaq mot-me-mot shkëndijat m’j-u shpërndanë
Gjith përmi kulm të bimës më së gjate…
M’j-u përvëluan gjith më tjetër anë…–

Je ulur fort, po syt’ e mi të panë:
Plot me stoli kjo lul’ e zemrës s’ ate!
Si kopsht i mbushur plot me jargavanë.

Lasgush Poradeci

Ylli i zemrës (1937)