Saga e Sermajesë

Jam kusar e jam beqar
Dua grua pa zarar.
S’kam para dhe s’gjenj para ta ble
Puna duhet bërë me hile.

Dal në brek: bërtas në tym karshi:
“Eja pak këtej, or çelebi!”
Ardhi, ia tregova meselenë;
“Vem’ edhe rrëmbejmë Sermajenë!”

Më dëgjoi, më pa në sy,
M’u përgjegj pa një, pa dy:
“Posa dashke dasmë, jam gati,
Sillma shishen me raki!”

Pimë, hëngrëm e u ngjeshmë
Edhe punës iu përveshmë.
Un’ i hipa kalit
Dhe ay gomarit:
Kapedan gomari, kali kapedan.

Emrin un’ e kam Orhan
Dhe ay e ka Turhan;
Unë dhëndër me kurorë
Ay kumtër me këmborë,
Nus’ e bardhë si dëborë,
Në behar pakëz’ e zeshkë,
Rrumbullake posi breshkë.

Emrin e ka Shah-Name
Dhe llagapin Sermaje.
Ia vuri syrin Orhani,
U çudit i tër’ Irani,
Kurdistani dhe Afganistani,
Turkestani dhe Hindustani.

Kur u nismë
Qe një krismë,
Qe një drithmë!
Kur u nism’ u tunt dynjaja
Dhe u err, u nxi havaja.

Ja kështu Moskovi u droth,
Napoloni kur iu hoth:
Dhe kështu u mvrojt Stalini,
Kur iu sul Hito Katili
Dhe Benito Mussolini.

De or de, moj mesele,
Ruaju, moj Sermaje,
Sermajeja nukë çante kokën:
Po gërvishte dhe prashitte tokën.

Kruan kokën trim Turhani
Se iu trubullua xhani
Dhe pyet: “Më thuaj, Orhan Be,
Nusn’ e bukur ku ma ke?”
Thot’ Orhani: “Ja, atje,
Prapa drizave dhe misrave!”

“Orhan Be më paç në qafë,
Mos ma thuaj atë fjalë,
E di mirë këtë arë,
Kjo është ar’ e Qorr-Hasanit,
E hajdutit, kapedanit,
Që të vret e del i larë,
Se s’ka sy dhe s’të ka parë.”

I mban sytë mbyllur dhe s’të sheh
Dhe pastaj, or vlla Orhan,
Njësin sy e hap dhe merr nishan
Dhe ia shkrep, të vret e s’ke derman.

Syt’ i hapën kur qëllon
Dhe njeri nuk i shpëton.
Lëre dasmën, hajde shkojmë,
Ikim shpejt edhe shpëtojmë!”
Thot’ Orhani: “S’më vret dot askush,
Jam i vrar’ edhe i djegur prush!”

Atje ishin, atje mbetnë,
E kërkuan dhe e gjetnë:
Sermajeja pret përpara,
Qorr-Hasani të vret prapa.

Si babaj edhe e bija:
Ja, mor, dashuria, lebetia!
Dhe kështu, mor, u martuan
Dhe përjet’ u trashëguan.

Dhe e vjeth ajo, s’e vjedh ay,
Po ashtu e deshnë që të dy.
Mor kusar, mor budalla,
Kur të vjedhish, vidh para,
Lëri çupat, mos i nga,
Mos i merr as badjava,
Se të kap sevdaja
Dhe të mbyt belaja.

De or de, moj mesele,
Rrofsh e qofsh, moj Sermaje!

Fan S. Noli

Vepra 1 (1987)

Advertisements
Ky zë u postua te Fan S. Noli dhe u etiketua si . Faqeruani permalidhjen.