Anës lumenjve

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur,
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbës, anës Spree-së.

Ku e lam’ e ku na mbeti
Vaj vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq e i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur!

Seç e shempnë derbederët,
Mercenarët dhe bejlerët,
Seç e shtypnë jabanxhinjtë,
Seç e shtrythnë fajdexhinjtë,
Seç e pren’ e seç e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës,
Anës Vjosës, anës Bunës!

Çirrem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall’ as i varrosur,
Pres një shenj’ e pres një dritë,
Pres me vjet’ e pres me ditë,
Seç’ u tera, seç’ u mpaka,
Seç’ u çora, seç’ u mplaka
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.

Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
Ëndërronj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbës, anës Spree-së.

Dhe një zë vëngon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjëmon trumpeta:
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korrini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!

Ky ilaç e ky kushtrim
Më bën djal’ e më bën trim,
Më jep forc’ e më jep shpresë,
Anës Elbës, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë
Që do kthehemi një herë
Pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.
Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur
Brohorit me bes’ e shpresë
Anës Elbës, anës Spree-së!

Fan S. Noli

Albumi (1948)

Advertisements