Jepni për Nënën

Ç’thotë ajo e ve e gjorë,
– Mbretëreshë pa kurorë –
Faqeçjerrur, leshlëshuar,
Shpirt e zemër përvëluar,
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
        Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
        se ke djemtë n’Amerikë!

Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë.
Bijt’ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?
        Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
        se ke djemtë n’Amerikë!

Cilët jan’ ata tiranë
Që të pren’ e që të vranë
Që të therë bij e bija,
Dhe t’u nxi, t’u mbyll shtëpia?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjak’n e Nënës për të marrë!
        Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
        se ke djemtë n’Amerikë!

Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë.
Pa fole, pa zoq, pa shpatë?
Këta qena, o shok’ i mbytni,
Mbushni gjyle që t’i shtypni!
        Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
        se ke djemtë n’Amerikë!

Sa kërkon e sa të duhen?
Burrat nga detyra s’ndruhen!
Trim’ i mirë do të japë,
S’kursen jetën, as paratë,
Hithni, hithni tok dollarë,
Të mos mbetemi të sharë!
        Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
        se ke djemtë n’Amerikë!

Do të ndihim pa kursyer
Për ty, Nëna jon’ e vyer.
Që me drit’ e nder të thuresh
Dhe me bijt’ e tu të mburresh.
Cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s’i dhanë?
        Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
        se ke djemtë n’Amerikë!

Armë dhe fishekë mblithni,
Qesen edhe shpirtin hithni:
Për lirin’ e vëndit tonë,
Sot – se nesër është vonë -;
Jepni, Nënën të shpëtoni,
Komp e vatra të nderoni!
        Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
        se ke djemtë n’Amerikë!

Fan S. Noli

Albumi (1948)

Advertisements