Hymni i Flamurit

O Flamur gjak, o Flamur shkabë,
O vënt e vatr’, o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, Flamur i zi!

Fortesë shkëmbi, tmerr tirani,
S’të trëmp Romani, as Veneciani,
As Sërp Dushani, as turk Sulltani,
Flamur i madh për Vegjëli.

Flamur që lint Shën Kostandinin.
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben’ u lavdërove
Dhe në furtun’ i funtmi u shove
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj përdhé u shtrive
Me zjarr e zi u ndeze, u nxive,
Po çdo mizor me shpat’ e grive,
O fushëkuq, o shkabëzi!

Përpjetë prije Shqipërinë,
Përlintja shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinë.
Për botën ëndrr’ e qielli i ri!

Fan S. Noli

Albumi (1948)

Advertisements