Fryn e shfryn veriu,
Ngrin, mërdhin i ziu
Dhe mangallit i afrohet
Që të ngrohet.
Krishtin brënda e gjykojnë
Dhe pas ligjës e dënojnë,
E goditin dhe e shtyjnë,
E pështyjnë.
S’del askush që ta shpëtonjë;
Roma do ta kryqësonjë,
Triumfon Legaliteti
Dhe Laneti.
Kur e rrahin dhe e tallin
Pjetri ngulet mi mangallin;
Kur e pa, u koll këndezi
Nga qymezi.
Dhe një shërbëtore i tha:
“Je dhe ti një nga ata!”
Po Shën Pjetri proteston,
E mohon.
Kruspull mi mangallin mblidhet,
Po djek dorën dhe përdridhet;
Se ç’këndon bandill këndezi
Nga qymezi:
“S’ka e s’ka si heroizma,
Edhe si idealizma,
Po kur dimër del behari
S’ka si zjarri.”
“Nga ata je” – thot’ ajo.
E mohon Shën Pjetri: “Jo!
As e njoh, as e kam parë,
Moj e marrë!”
Kruspull mi mangallin mblidhet,
Po djeg mjekrën dhe përdridhet;
Se ç’këndon bandill këndezi
Nga qymezi:
“Shkab’ e shkëmp me poz’ e fjalë,
Seç na dole shkrump e galë,
Në je trim këtu tregoje,
Shko shpëtoje!”
Thot’ ajo: – “Je, mos gënje!”
Pjetri e mohon me be:
“Jo, për Zotin, moj aman,
S’jam e s’jam.”
Kruspull mi mangallin mblidhet,
Po djeg gjuhën dhe përdridhet;
Se ç’këndon bandill këndezi
Nga qymezi:
“Simon Pjetër, Bar Jona,
Kështu ndahet kjo dynja:
Kryq andej, këtej buxhaku
Dhe allçaku.”
Seç e dogje, seç e fike,
Gjel me gjëm’ e këng’ armike,
Dhe ndërgjegjen seç ia çpove,
Seç ia zqove.
Seç vajton Shën Pjetri hidhur,
Leshlëshuar, duarlidhur,
Tri her’ e mohoi pa gdhirë,
Faqenxirë.
Fan S. Noli
Albumi (1948)