Kur në flakë të qiririt ze mendohem net-për-net
Dh’e ndjej shpirtin e kulluar nëpër dritën që më tret
Prej skëterrës së pa mate më del bot’ e endërruar,
Vetëm ti, o im-e dashur, net-për-net më ri larguar.
Po çdo ëndër që më çfaqet prej skëterrës së pa fund,
Çdo mendim i llaftaruar që më dhemb e më përtund,
Dyke rënë prej së lartash posi pikë zembërate
T’i përshkohet për-së-felli bukuris’ së qenies s’ate.
T’i përshkohet mes-për-mezi dlirësis’ së shpirtit t’ ënd,
T’ a merr pamjen e fytyrës, bëhet shkronjëz e kuvënd.
Ay del prej shkretëtire mënt’ e mi të m’ i stolisë
E ka tingëll llaftarije, ka verbimin e magjisë,
Ndrin i kthiellt e i pastër si pasqyrëz’ e një kroj
Pa nër të fytyrën t’ ënde t’ a vështroj … nuk t’ a vështroj…
O! fytyr’e vjershëruar që më mbush me dëshërime!
Q’ i fal gas përjetësije dashuris’ së zemrës s’ ime!
Që më bën kur mënt’ e mija rëgëtijnë varg e varg
Të të ndjej aq fare pranë, të më jesh aq shumë larg.
Lasgush Poradeci
Ylli i zemrës (1937)