Moisiu në mal

Ngjitet përpjetë Malit të shkretë
Kryeprofeti, trimi me fletë,
Të bisedonjë me Perëndinë
        Për Palestinë.

Arrin në majë lart i kapitur,
Qëndron me frikë, pret i tronditur,
Dhe Jehovaj’ i flet prej reje
        Me zë rrufeje:

“Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,
Tokën e shenjtë kurrë s’e shkelni
Skllevë, bij skllevësh, s’e meritoni
        Se liri s’doni!”

Kryeprofetit dita i ngryset
Dhe shpirtkëputur përdhe përmbyset
Me lot në sy, me zemër të ngrirë
        I lyp mëshirë.

“Pse kaqë gjatë, Zot, m’arratise,
Pse më përplase, më përpëlise,
Pse shpresën dyzet vjet ma ushqeve,
        Dhe sot ma preve?

Nem Dhen’ e Lirë! Zot, ku ma ke?”
“Shiko, i tha, dhe ja ku e pe!”
Sëlargu Zoti ia pasqyron
        Dhe e shikon.

Ja Nazareti, ja Bethlehemi,
Lum’ i Jordanit, Jerusalemi,
Mal’ i Sionës, Bethsaidaja,
        Dhe Golgothaja!

Sheh gasn’ e pritmë për djalërinë
Dhe shkretëtirën për pleqërinë,
Atje sa bukur, këtu sa zi,
        O Moisi!

Këtej ka dimrin, andej prënverën,
Kërkon Parajsën, vdes në Skëterrën;
Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor,
        Liberator!

Fan S. Noli

Albumi (1948)

Advertisements
Ky zë u postua te Fan S. Noli dhe u etiketua si . Faqeruani permalidhjen.