Rent, or Marathonomak!

Rent, or rent, rent e u thuaj
Se u çthurr ordi e huaj,
Se betejën e fituam
Dhe qytetin e shpëtuam!
Rent, or rent,
Rent, or Marathonomak!

Kap një degë prej dafine
Dhe vërtitesh ndaj Athine
Nëpër fush’ e brek mi brek
Këmba tokën as ta prek,
Hip e zbrit
Petrit, Marathonomak!

Ke një plagë, po s’e the,
Djers’ e gjak pikon përdhe;
Do që ti të jesh’ i pari,
Për triumfin lajmëtari
Flamurgjak
Kuqo, Marathonomak!

T’u tha gryka, po s’të pihet,
T’u mpi këmba, po s’të rrihet,
Se mileti po të pret,
Ankthi zemrat ua vret,
Vrer e tmerr
Shpejt, or Marathonomak!

Kurrë kaqë s’dogji djelli
Dhe si plumb s’rëndovi qjelli,
Kurr’ aq ëmbl’ e bukur s’ftoi
Hij’ e lisit edhe kroj;
Turru tej,
Tutje, or Marathonomak!

Vapa mbyt e pluhri nxin
Ferra çjerr e guri grin
Afsha gjoksin përvëlon
Syrin avulli verbon;
Ur’ e prush,
Furr’, or Marathonomak!

Gryka si gjyryk të çfryn
Prej vullkani flag’ e tym,
Seç vëngon e seç gulçon,
Zemra brinjët t’i çkallmon
Me tokmak,
Mbahu, or Marathonomak!

Nëna, motra, nusja dalin,
Ngrehin krahët të të ndalin,
Mos, se s’janë veç Najada,
Magjistrica dhe Driada;
Lark, or lark,
Lark, or Marathonomak!

Hajde, ja Akropolia,
Ja qyteti e njerëzia
Që të pan’ e që të çquan
Dhe fuqinë ta rishtuan,
Haj dhe pak,
Hajde, or Marathonomak!

Ja, arrive, ua the:
Ç’gas e ç’helm qe kjo myzhde!
“E fituam!” brohorite
dhe për tok’ u përpëlite.
Vdiq, or vdiq!
Vdiqe, or Marathonomak!

Rent kudo, dyke bërtitur,
Nëpër shekuj faqendritur,
Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin,
Veç e tok,
Tok, or Marathonomak!

Fan S. Noli

Albumi (1948)

Advertisements