Çepelitja

Isha shtruar në hajat,
Çepelitja me rahat.
Ajo vjen edhe më shtrohet,
Pran’ edhe më pran’ afrohet.

Unë çepelit e pre,
Ajo sulu dhe mbërthe.
I largohem me usull,
Qasjen nuk e bënj kabull.

Ik’ e ik’ arrinj në mur,
Ajo pas e s’lë kusur.
Un’ i thom: “S’e marr vesh,
Mos më tall, mos më përqesh.”

Isha viç i palëpirë,
Aguridhe, thartësirë.
Ishte flag’ e farmakosur
Prej rrufeje të xhindosur.

Ma kap dorën, më pyet:
“Këto druçka pse i pret?”
Un’ i thom: “Mos më ndalo,
Lodrën mos ma ngatërro.

Është lodr’ e Shqipërisë,
Gdhënt e pre rrëzë selvisë.
Ja mbarova një purtekë,
Të paprera kam nja dhjetë.”

“Lëri druçkat, thot’, or xhan,
Ma qaj hallin, mor aman!”
“Jo, i thom, moj kallpazane,
S’merrem me shaka jallane!”

U trondit, u zgurdullua,
U marros dhe u tërbua.
Më shkelmoi dhe më goditi
Dhe me grusht më lebetiti.

Ngrihem t’ikënj, më mallkon,
Dhe me këmbën më pengon.
Shtrihem si një peshk përdhe
Si një pend’ ajo më ngre.

Unë ndizem posi derr
Edhe mbushem plot me vrer,
Se ma shkeli fare nderin
Dhe më futi mun në ferrin,

Se më bëri qerpazè,
Pelivan paraqendè.
S’m’u durua dhe gatitnja
Grushtin tim që ta goditnja.

Ajo zuri dhe po qante
Dhe më luante e më lante,
Dhe pastaj më përqafoi
Dhe me zjarr më përvëloi.

Kur më puthi u trullosa
Dhe teslim u katranosa.
Dhe kështu, or, u mbërtheva,
Po për Zotin s’u gënjeva.

Fan S. Noli

Vepra 1 (1987)

Advertisements