Plak, topall dhe ashik

Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rrjedhin djersët valë;
Dale, moj, se s’jam më djalë
        Dhe më s’ecënj dot.

Dale, moj, se më kapite,
Më këpute, më sfilite,
Prite, moj, ashikun, prite
        Që të vjen me not.

E arriva dhe ia thashë,
Asnjë gur pa tundur s’lashë,
Dhe mëgjunjazi i rashë,
        Ç’u mundova kot.

Hapa gojën dhe vajtova,
Qenkam plakur, e kuptova,
M’ardhi keq, po s’e mohova,
        Syri m’u përlot.

Dhe nga jeta u mërzita,
Dhe nga lumi u vërvita,
Që të vdes, se u korita
        Dy-tri herë sot.

Po ti, Zot, më ngushëllove
Pas një tjatre më lëshove
Dhe nga mbytja më shpëtove,
        Lavdi paç, o Zot!

Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rrjedhin djersët valë;
Dale, moj, se jam i çalë
        Dhe më s’ecënj dot!

Fan S. Noli

Albumi (1948)

Advertisements