Erë trëndeline

Sesi m’ju lëndon dashurija!
Sesi m’ju lëndon pa pushim!
O lotët e syve të mija!
O klithmëz e tingëllit t’im!

Ju shoqe të kohës mitare…
Mikesha… motriçka… pa faj!
Ju humbtë në mjegull për fare,
Dh’ u solla ndër mënd e po qaj!

As flak’ e shkëndijës q’ u shua,
As syri që nxihet e plas,
Nuk lanë-o ju vasha për mua
Vuratat e errëta pas:

Haj! flutur’ e zënë me duar
Një flutur sicila prej jush,
Më la në gishtrinj dyke shkuar
Pluhurin që ndrin posi prush…

Sot çela pëllëmbën e dorës
Q’u çiku gazmore dikur –
Si pah verbimtar i dëborës
Së-rish po më ndrin një pluhúr.

Përse nuk m’u shojte përherë,
Të hesht të pushoj për kurdo,
Ti mall që nër to pate lerë
Dh’ u rite dh’ u ndrite për to!

Ju shoh përtej mjegullës s’uaj
E shpirtin prej jush e kam plot,
Pa s’mund si t’a them, si t’a shuaj
Ah! këngën e mbushur me lot.

Së koti-u larguat mënjanë,
Më vajttë më kot aqe larg,
Kur sumbullat lot që më ranë
Si ruázat i shkova në varg…

Dh’ i ndrita me syrin e fshehur…
Dh’ i ndrita me zërin mitar…
Dh’ i skuqa me buzën e dehur…
Me shpuzën e flogut si ar…

Oji! trendelin’ e venitur
Ju fali gjith erën e saj…–
Pse rreth kaq me hov të çuditur,
Haj! zemëra ime ti haj?…

Ju lule q’ u leu parëvera,
Dh’ u çika me gas një mëngjes!…
Së largu prej jush më ra era,
E desha prej mallit të vdes!

Lasgush Poradeci

Ylli i zemrës (1937)

Advertisements