Kur nuk ndjehesh fare mirë

Kur nuk ndjehesh fare mirë
(Sepse shpirtin e ke plot),
Ze këndon në vetësirë
Pa të derdhen pika lot.

Pika lot, si pika dylli,
Që të derdhen aqe shpesh,
Kush qepallat nuk i mbylli…
Nuku mund t’i marë vesh.

Kujt s’j-u dha t’i rrahi mentë,
Në shtëpi kush nuk u mbyll,
Më një hov kur shpirt’i shentë
Ndrin e digjet posi yll –

Nuku mund t’a dijë fare,
As që do të ndjejë dot
Ç’pruri kënga mendimtare
Me çdo varg prej pikash lot:

Kush të tall me verb të kotë,
Nuku mund t’i ndjejë gjiri
Ç’Drit’ e bardhë djeg në botë
Me çdo pikë prej qiriri.

Lasgush Poradeci

Vallja e yjve (1933)