Kur për herëzën e parë
Vetë filli ti më poqe,
Zura mall që s’kish të ngjarë,
Ti moj shoqe.
Zure-e sytë me dy duar
E së qeshuri m’u fike,
Dhe më mbete-e turpëruar,
Ti moj mike.
Oh, q’ahere dit’-për-dita
Gjiri jonë u shkri në dashkë.
E n’agim sa çelej dita
Ishim bashkë.
Si më dhemb, o! grim’ e dehur,
Çast-i lum që zbrita katin!…
Sepse gjeta pa pandehur
Vetë fatin.
Ti më ngjiteshe përpjetë
Me nxitim si nusk’-e-lalës,
E të mori turpi-i shkretë,
Turpi ndalës…
E sakaq dëshir’ e sulur
Gushë-e faqe t’i përflaku –
Unë mbeta krye-ulur,
Varfanjaku!
E m’u duk si pate shkitur
Dh’u shastise nëpër shkallë,
Të të puth me zjarr të mitur
Mun në ballë.
Lasgush Poradeci
Vdekja e nositit (1978)