Dora jote ledhatarja

Dora jote ledhatarja, ësht’ e zbetë si qiri.
Dora jote ledhatarja lëshon dritën e dëborës.
Kur t’a ndjeu magjinë-e pastër që të shtrydheshe prej dorës,
Shpirti im i frymëzuar rëgëtiu në llaftari.

Se me lëndë magjistare u pat bërë tul’ i saj;
Tul’ i saj u pat gatuar me vaj ere-e brumë dylli;
I dha hëna pah të ndezur, pluhur t’artë-i fali ylli,
E kështu m’u duk hirplote – haj! o dor’ e vashës, haj!

Në vështrim të dorës s’ate ç’pat, o! balli që m’u vdar?
Ç’pat qëpall’ e përlotuar q’i ra pika tatëpjetë? –
Dor’ e bryllt e vashës s’ime, dor’ e pastër, dor’ e zbetë,
Vetëtiu me prush magjije e më bëri mendimtar.

Dora jote që më dhimset, dora jote që më çik,
Dora jote që më shtrihet sipër tëmblave gjumashe;
Dora jote: zemra jote që t’u nda më pesë fashe…
Dh’u bë dorë të më ndali ndaj dyshoj se mos i ik.

Lasgush Poradeci

Ylli i zemrës (1937)

Advertisements
Ky zë u postua te Lasgush Poradeci dhe u etiketua si . Faqeruani permalidhjen.