Mbarim vjeshte

Fluturoj dhe shtërg’ i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë
Dyke shkuar që me-natë sipër malesh me dëborë…
Iku rënd’ e i përmallshmë, dhe me sqep të ti të fortë
Zotëriut q’ i la folezën i trokiti mun në portë…

Pra më s’duket shpes’ i fatit prapa bujqësh edhe plorësh,
Prapa brazdës së rëxuar hap-me-hap prej qè malorësh;
Më s’dëgjohet nër ugare të kërcasë miu i hirtë,
Vdiq nepërka pikëlore ndaj blatisht’ e shkretëtirtë.

Dheri-i mardhur prej thëllimi dirgjet heshtur nënë brymë,
Fryn veriu në pyll të thatë me zembrim e me fërtymë,
E si shtohet cingërima… ja! se ku dinak dh’ i voçërr
Nëpër gardhe-e nëpër ferra dërdëllet gazmor një çoçër!…

O! sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë,
Kur bariste dal-nga-dale – posi dhëndër me kurorë!…
E kur pranë-i vinte krilla, që shëndrij në kraharuar,
Me sy lart, me hap të matur – posi vash’ e nusëruar!…

Lasgush Poradeci

Vallja e yjve (1933)

Advertisements
Ky zë u postua te Lasgush Poradeci dhe u etiketua si . Faqeruani permalidhjen.