Zog i qiejve

(Në vënd parafjale)

Këng’ e lasht’ e vjershërisë më pëlqeu aq fare pak…
Do t’j-a marr që sot e tutje si bilbil parëverak,
Që nga fund’ i vetëvetes do këndoj një mall të ri:

Brenda tufës së junapit që mbleroj me kaq stoli,
Kur po shoh ndaj ryn bilbili e sakaq ze qan nër fletë,
Këng’ e ti më ngjan kulluar posi këng’ e Zotit-Vetë.
E prandaj, dyke filluar, ay Lart i shpije kryet
Dh’ i ngreh sipër-e-më-sipër gjer sa qafa ment i thyet.
Asohere-e ndjej si dridhet më një zë pa shëmbëllim,
Asohere-e ndjej si foli: Të jam falë, — o Zoti im!
E pastaj i ulet gusha më-përposh-e-më-përposh,
I venitet me-nga-dale syri-i qarë-e bukurosh.
Ay sheh që nëpër fletë me vështrimin e çuditur
Ndaj çkëlqen ner mija gjyra Vënd’ i ti ku pati sbritur,
E pra ja q’i mbylli sytë, e që gojëzën e hapi:
Tungjatjeta! tungjatjeta! Vënd o Vënd ku çel junapi!

Haj! bilbil, se Vëndi jonë ka liqere-e anë detesh,
Nëpër bimëzat e tyre po vërrej si qan e tretesh;
Po dëgjoj prej largësive, si nër male-e si nër fusha,
Si nër kopshte jargavanësh dhembshurisht të fryet gusha;
E çdo lis që mban të gjelbër, e çdo pemë-e çdo rakitë,
E çdo bar i lulëzuar ças-pas-ças t’i ndjen çuditë…
Ti këndon, o zog i pastër, ti këndon, këndon përherë,
Pa pushim të del nga zemra vaj’ e tingullit të mjerë;
Ti vajton me zë të fshehur, se një zjarr kupton në gji:
Dheut! ah dheut të përtëritur sot i falesh përsëri!
E si rron në gji të dherit dit-për-ditë-a nat-për-natë,
Gjir’ i dherit ku rreh jeta të fal breng e përgjërate:
Se prej mallit që të thyen përmes pamjeve të tija,
Mun në fund të zemrës s’ate ritet fshehur dashurija.
E si ritet prej së fellash, më një ças fillon të nisë
Kënga jote-e papandehur q’ është fjal’ e dashurisë.
Ajo ngrihet… ngrihet… ngrihet… dhemshurisht e dyke qarë,
Pastaj sbret e parpalitet si një fluturëz e vrarë.
E kështu ti qan pa rreshtur bukuritë-e dashuritë,
Prej qëpallës së përlotur të pikon një pik’ e ngritë.

Asohere kënga jote shuhet dyke psherëtitur;
Ti fillon t’a rrahish mëndjen, e buçet me shpirt të mitur:
Se ç’gëzim përjetësije! E se ç’mall! E ç’dëshirime
Të pat falur dashurija në të qarët e një grime!
Prej dëshirës së zhuritur q’ i dhe këngëvet, o zog,
Rrodhi vesa mëngjezore përmi lule borsilog…
Përmi lule ku rreh djelli ndrin me zjarr si pikë loti,
Zjarri fërgëllon e ngrihet gjer ne djelli, gjer ne Zoti…
Ti e sheh… dh’ aq fort të tundet fund’ i zembërës së gjore,
Aqe fshehur të thëthijnë lartësirat qiellore,
Sa, t’u ngritur me vetijen më-përpjetë-e-më-përpjetë,
Si mendim me hov të letë valon qiejve ti vetë:
Ha! ç’ të zotërovi Drita! Ç’ të përshkoj një Gas i ri!
Seç të ndjell një Frymë-e largë tej nëpër paanësi!…
Nër paanësi të ndrijnë yjt’ e ndezur varg-e-varg:
Ti me mall të paqetuar fluturon larg-e-më-larg…

………………………………………………………
— Që nga bota njerëzore, ku këndoj me shpirtin plot,
Prit-e, prit! se po t’afrohet Zog’ i Qiejvet, o Zot!
Fal-i Këngëtor-finoshit Gas të Thjeshtë mun në gji:
Posi lot në reze djelli ndrit-e në Përjetësi!

Lasgush Poradeci

Vallja e yjve (1933)

Advertisements
Ky zë u postua te Lasgush Poradeci dhe u etiketua si . Faqeruani permalidhjen.