Tingujt e parë

Pava npër qiellin e vrrinit dikúr
tue kalue shum rê
dhe lumejt e turbullt tue bajtun
gùr e landë.
Tue hy në t’shtatën vjetë
ujkun e pava n’ikje me bisht ndër kambë
e me veshë të çuem currek përpjetë.
Shkova me njerzit e mij
shtigjeve të ngushta t’malit
e pata û e èt.
Ndigjova ortiqet e bubullimën e motit
e fjalën “mos u tremb!” tim èt.

Verat e lugjeve i ruej në parzëm
e n’fletzat e gjethit t’blerë dhe sòt
vendet e mija t’para i shoh.
Tingujt e currilave në lagsina
e zâni monoton i pipzës fëminore
me mote n’mue janë rritë,
lule gjaku në shullâje
për të dalun kangë nji ditë.

Martin Camaj

Lirika mes dy moteve (1967)