Malli jonë q’u pat shuar,
Malli-i bërë fije,
Sot më gjet të zemëruar,
Më pru lotë zije.
Un’ u ngrita që-me-natë
Posi dashurija –
Pse m’u lag o! syr’ i thatë
Në mjerim të tija?
Ësht’ agim tashi moj mike,
Dhe ja! se ku dolla
Nënën strehën venetike,
Ku po mbin vijolla;
Ku m’u ndes si zjarr rrufeje
Dëshërim’ i parë,
Dhemshurisht thërret pas teje
Zemërëz’ e vrarë;
Të më vish dyke vrapuar
Ndaj të pres i mjerë,
Se të kam për të pushtuar
Për të fundit herë;
Se për herëzën e fundit
Më zu mall i mitur,
Syr’ i fshehur i katundit
Që më pat zhuritur.
Un’ i ziu mbeta vetë
Dhe të shoh të vluar,
Më vërtitej mëndj’ e shkretë
Posi shaqiluar.
Lasgush Poradeci
Ylli i zemrës (1937)