Poradeci

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir.
Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,
Dyke sbritur që nga qjelli përmbi fshat po bëhet fir…

E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:
Në katund kërcet një portë… në Liqer heshtë një lopatë…
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…
Zotëroj më katër anë errësira…
                                                Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…

Lasgush Poradeci

Ylli i zemrës (1937)