Kau

Pas pune përfund arës ulet,
çlodhet e ripërtypet kau balash,
ia thith lëndina e qëndis lulet,
të ndritshmet jargë si mëndafsh.

I avullon djersa në shpatull,
një zog mes brirvet ulet e çuket,
i shkul ca lesh e rend në ndonjë hatull
të thurë me të çerdhen e vet.

Po një njeriu të tjetër lloj pasqyre,
që rastësisht andej kalon,
i ngjan se mes kësaj natyre
ky ka i shtrirë sikur stonon.

Ç’na ndënjka kaq fodull, moskokëçarës,
s’lëviz e zogj pranon mbi brirë,
hë, sikur t’isha unë shef i arës,
pa rrinte ai përpara meje shtrirë!

Kau ripërtypet gjith nur e madhështi,
nën të skalloi i farës del prej dheri,
në avujt e bajgës së freskët të tij
formohet një mirazh ylberi.

Koçi Petriti

Albumi i lirikave (2004)

————

VARIANT:
Kau (Prush nëpër shekuj; 1979)

Advertisements