Baladë për Themistokli Gërmenjin

Trembëdhjetë bilbilenjtë
vanë vetë në litar,
kush kërkoi krëhër të krihej,
kush të dridhte një cigar.

Kush kërkoi të hidhte valle,
kush mbi shkëmb si shkëmbi ngriu,
rritej nga çdo vdekje e madhe
kapedan Themistokliu.

E në prag të pushkatimit
shkrep tri thënie të mëdha,
tri rrufe të një gjëmimi,
sa për njëqindmijë dogra.

Dhe kërkoi të thosh një këngë,
shqiptarisht i veshur krejt,
dhe këndoi siç këndon rëndë
veç një burrë në njëqind vjet.

Dhe kërkoi t’ia zgjidhnin sytë,
sytë e lidhur me shami,
të vështronte drejt në tytë
si po nisej vdekja e tij.

Dhe kërkoi, së treti, i qetë,
që xhelatit pushkatar,
do t’ia jepte shenjën vetë,
vetë t’i bërtiste: “Zjarr!”

Dhe u drodh njeriu dhe guri
nën tri shkrepjet e mëdha,
se gjëmimi i atij burri
ish sa njëqindmijë dogra…

Koçi Petriti

Balada (2010)

————

VARIANTE:
Baladë për Themistokli Gërmenjin (Lulëkuqet; 1985)
Balladë për Themistokli Gërmenjin (Prush nëpër shekuj; 1979)

Advertisements