Dremit liqeri

Mi zall të pyllit vjeshtarak,
Dremit liqeri pa kufi,
Ay ndaj fundesh u përflak
Posi me zjarr e me flori.

Posi me flakë-u ndes e kroj,
E vetëtiti plot magji,
E yll-i ditës perëndoj
Në qetësi dhe dashuri.

Tashi po shuhet nënë mal
Qytet i ngrysur në të zi.
Po ndizen yjtë dal-nga-dal
Plot bukuri! plot fshehtësi!

Në këtë çast perëndimor,
Ndaj po më dehen sytë-e mi,
Kuptoj si shpirtin vjershëtor
M’a frymëzon një mall i ri.

Lasgush Poradeci

Vdekja e nositit (1978)

Advertisements
Ky zë u postua te Lasgush Poradeci dhe u etiketua si . Faqeruani permalidhjen.