Kanga në mjesditë

Po kris nji pikë në shpellë,
Në pýll dhe spata n’drû.
Qè, mali u la me diéllë
Dhe nusja e ré në krú:
Mjesdita erdh në fshat.

Nën tandë n’oborr âsht hije
E plás xhingalla n’lis.
Po digjet bari n’vrrije
Dhe vajza këndon n’mriz:
“N’shtat male kam nji fat!”

Vasha për tê me gzim
po rritet porsì halë,
Si drita npër agim:
n’shtat male kam nji djalë.

Martin Camaj

Lirika mes dy moteve (1967)