Koha e Lules

[LËNDA: p. I; p. II; p. III; p. IV; p. V; p. VI; p. VII]

————-

        I.

Sonte më lajmruen se ka vdekë nji njerí
prandej jam i trishtueshëm, Lule.

Dashunija âsht e vetmja shtyllë guri
kur andej gardhit fluturojnë
shëgjetat e akullit.

Dy zemra bashkë janë mâ rrufeprojse
se dy shpata tû për tû
me teha përjashta.
Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri.

        II.

Të zit e synit tand nuk due
ta ndeshi në shtiqet e ngushta.
Flakën e synit ta due mes fushës
e zemrën tande mollë,
të ndêmun në degë, në naltsin
e krahut prej tokës.
Mos bzâj para muzgut
të njerzishëm në fushë
e erës zemërgjanë
që përqafon çdo maje bari.
Lule, hiqe pëlhurën e zbetë prej hanës
e shtroje për tokë.

        III.

Sy tú, lule-kadife, nuk njohin
pagjën. Mos bjer me vehte vérin e Nordit
por zjarm që ta rrisim bashkë
në kët natë të gjatë.
Lule, dashunija
rrin këtu deri sa hana të jesë
përballë zjarmave tonë
e drita e agimit të shkrijë
gacën e mbrame!

        IV.

Ti je në zemër teme
e me zâ s’mund të thom
qetsinë e ndjenjes mos të prishi.
Zanin tand e njoh mes tingujve
të njimij currilave.

Vjollca që nis me çelë
i ka fletzat e njoma e të zbardhemta.
Ashtu dhe buza jote e mëngjestë.

Ti mbas vetullave ke hijen e hyllit
që zbulon vetëm nji faqe
dhe shpresa eme me trajtën e siluetës sate
në duer vuen ndër dhimba,
ndoshta për vdekje.

        V.

Ndjesitë e mia rrjedhin e humbin
në buzqeshjen tande t’idhtë.
Çohen njimij zâne
— shpatza badrash të pjekuna —
kur deshirave u thue jo
përmbrenda. Mandej vjen shiu
e majet e badrave zbuten.
Mes flokëve të zèz e vetullave
e ndali shikimin
për të gjetun fillin e të vetmes poezi
të kësaj moshe seme djegagure.

        VI.

Ashkël jam, Lule,
e shetis prej vendi në vend
i shtymë nga murrlâne, shum.
Kur ndalem këqyri në vehte
e shoh fëtyrën tande e para meje
shtiqe me oleandra anash.
Tre hapa mbas
shtrîhet nji tokë e djegun
me gûr e shkambij në pa skâj.

Eja përsri në mëngjes
në kohën e kangës së ngîme n’ag.
Po erdhi ti, në vend të kallijve t’djegun
kah rrâjt dalin filiza të rij.

        VII.

Në kohën e kangës së qokthit
drita e synit t’nji hylli
ra meteor në mue
e ndriti fëtyrën tande:
ishte mallkimi i atij që lindi natën!

Kalorës i shtiqeve t’ngushta,
kurr ma s’do ta përkas
agimin e flokve tú.

Udhtoj me hijet e natës së vonë
e shoh gishtat tú që mbyllin
fletën e bardhë t’nji jete.

Martin Camaj

Poezi 1953-1967 (1981)